Monodrama “Antigona” nga Maqedonia ka fituar çmimin kryesor, “Monodrama më e mirë” në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAkt”. Ekipi i kësaj shfaqjeje nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cila u mbajt të hënën mbrëma në teatrin “Istref Begolli” në Pejë. Çmimi “Aktorja më e mirë” i ka takuar kosovares Sheqerie Buçaj për personifikimin e rolit në monodramën “Shumë urime për ty”. Ndërsa, Mentor Zymberaj, drejtor i Festivalit, ka fituar çmimin “Aktori më i mirë” për rolin e tij në monodramën “Aktori në kuti”. Me çmim special është vlerësuar edhe shfaqja nga Shqipëria, “Legjenda e pianistit”, e cila u shfaq në mbrëmjen e fundit të Festivalit “MonoAkt”. Pjesë e kësaj shfaqjeje ishte edhe pianisti i njohur nga Shqipëria, Gent Rushi. Krahas paraqitjes në shfaqje, pianisti Rushi ka argëtuar publikun e pranishëm për disa minuta. Një shfaqje tjetër që arriti të vlerësohet me çmim ishte edhe “Ëndrrat e Fedrës” nga Gjermania, e cila fitoi “çmimin e mediave”. Ndërsa, me çmimin “Nderi i qytetit të Pejës” është nderuar shfaqja nga Italia “La mano che non mordi”. Kryetarja e jurisë së “MonoAkt”-it, Nina Mazur, përpara mbylljes së festivalit ka bërë të ditur se festivali “MonoAkt” është pranuar në Asociacionin Ndërkombëtar të Festivaleve të Monodramës. Kjo ishte një befasi për organizatorët e festivalit “MonoAkt”. Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAkt” ka zgjatur pesë ditë dhe është mbajtur nëpër qendra të ndryshme të Kosovë. Përgjatë këtyre ditëve janë shfaqur monodrama nga vende të ndryshme, si nga: Italia, Gjermania, Rumania, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Përveç shfaqjeve janë organizuar edhe tryeza e vizita në monumente të rëndësishme kulturore në vend. Festivali “MonoAkt” është organizuar nga shtëpia teatrore dhe filmike “AKT”. Ndërsa është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Kuvendi Komunal i Pejës